220 likes | 353 Views
Fjala për ta Jetuar. Dhjetor 2009. “Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell ”. ( Mt 5,16). […] Drita shfaqet në "veprat e mira". Ajo shndrit përmes veprave të mira që kryejnë të krishterët.
E N D
Fjala për ta Jetuar Dhjetor 2009
“Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. (Mt 5,16)
[…] Drita shfaqet në "veprat e mira". Ajo shndrit përmes veprave të mira që kryejnë të krishterët.
Por do të më thuash: jo vetëm të krishterët kryejnë vepra të mira. Edhe njerëz të tjerë bashkëpunojnë për përparimin, ndërtojnë shtëpi, nxisin drejtësinë...
Ke të drejtë. I krishteri sigurisht i bën dhe duhet t'i bëjë edhe ai gjithë këto gjëra, por nuk është vetëm ky funksioni i tij i posaçëm. Ai duhet t'i bëjë veprat e mira me një shpirt të ri, me atë shpirt që bën të mundur të mos jetë më ai (i krishteri) që jeton në vetvete, por Krishti në të.
Në fakt, ungjilltari nuk e ka fjalën vetëm për veprat e bamirësisë të veçuara (si të vizitosh të burgosurit, të veshësh të zhveshurit ose të gjitha veprat e mëshirës të përshtatura sipas nevojave të sotme), por e ka fjalën për përkimin e plotë të jetës së të krishterit me vullnetin e Hyjit, në mënyrë të tillë që e gjithë jeta e tij të jetë një vepër e mirë.
Nëse i krishteri vepron kështu, ai është "i tejdukshëm" dhe lavdërimi që do të marrë për sa bën nuk do t'i shkojë atij, por Krishtit që banon në të, dhe Hyji, nëpërmjet tij, do të jetë i pranishëm në botë. Pra, detyra e të krishterit është të lejojë që të tejduket kjo dritë që banon në të, të jetë "shenjë" e pranisë së Hyjit në mesin e njerëzve.
“Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. (Mt 5,16)
Nëse vepra e mirë e një besimtari ka këtë karakteristikë, edhe bashkësia e krishterë në mesin e botës duhet të ketë këtë funksion të posacëm: të zbulojë përmes jetës së vet praninë e Hyjit, i cili dëftohet ku janë dy ose tre të bashkuar në emër të tij, një prani që i është premtuar Kishës deri në mbarimin e kohëve.
Kisha primitive (fillimet e Kishës) u jepte shumë rëndësi këtyre fjalëve të Jezusit. Sidomos në momentet e vështira, kur kundër të krishterëve bënin shpifje, pra, i ftonte të mos përgjigjeshin me dhunë. Sjellja e tyre duhej të ishte kundërshtimi më i mirë i së keqes që thuhej për ta.
Në letrën drejtuar Titit lexohet: " Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim - përpikërinë, denjësinë; fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet."
“Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. (Mt 5,16)
Është jeta e krishterë e jetuar, që është dritë edhe sot për t'i çuar njerëzit tek Hyji. Po të tregoj një ngjarje.
Antoneta është nga Sardenja, por për arsye pune është zhvendosur në Francë, në Grenoble.
Punon në një zyrë ku shumë vetë nuk kanë dëshirë për punë. Meqë është e krishterë dhe te çdo njeri sheh Jezusin, që duhet t'i shërbejë, i ndihmon të gjithë dhe është gjithmonë e qetë dhe e qeshur.
Shpesh, dikush zemërohet, ngre zërin dhe i shfryn asaj, duke e tallur: "Meqë ke dëshirë për punë, shtyp në makinë edhe punën time!".
Ajo hesht dhe punon. E di që nuk janë të këqinj. Ndoshta secili ka hallet e veta.
Një ditë drejtori i zyrës shkon te ajo, ndërsa të tjerët nuk janë të pranishëm, dhe i thotë: "Tani më thoni, si bëni që nuk e humbisni kurrë durimin, që buzëqeshni gjithmonë". Ajo mbrohet duke thënë: "Përpiqem të jem e qetë, të shikoj anën e mirë të gjërave".
Drejtori përplas grushtin në tavolinë dhe bërtet:"Jo! Me siguri këtu është dora e Zotit, përndryshe është e pamundur! E të mendosh që unë në Zotin nuk besoja!".
Disa ditë më vonë Antonetën e thërrasin në drejtori ku i thonë se e kanë transferuar në një zyrë tjetër "me qëllim - shton drejtori - që ta shndërrojë ashtu sikurse bëri me zyrën ku punon tani".
“Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. (Mt 5,16)
“Fjala për ta Jetuar”, botim mujor i Lëvizjes së Fokolarëve. Shkrim i Kjara Lubik, gusht 1979. GrafikaAnna Lollonë bashkim me donPlacido D’Omina (Siçili - Itali) Komenti i Fjalës për ta jetuar përkthehet në 96 gjuhë dhe idioma, dhe arrin te miliona njerëz në gjithë botën përmes shtypit, radiotelevizionit dhe internetit - për informacion www.focolare.org PPS përkthehet në gjuhë të ndryshme dhe publikohet në www.santuariosancalogero.org