240 likes | 397 Views
Fjala Për ta Jetuar. Prill 2009. " Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj “ (Mt 24,42). E ke vënë re se në përgjithësi ti nuk e jeton jetën, por veç e shtyn atë në pritje të një “pastaj” në të cilën duhet të mbërrijë “e bukura”?
E N D
Fjala Për ta Jetuar Prill 2009
" Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj“ (Mt 24,42).
E ke vënë re se në përgjithësi ti nuk e jeton jetën, por veç e shtyn atë në pritje të një “pastaj” në të cilën duhet të mbërrijë “e bukura”? E vërteta është se një “pastaj e bukur” duhet të vijë, por nuk është ajo që ti pret. Një instinkt hyjnor të shtyn të presësh dikë ose diçka që mund të të kënaqë.
Dhe mendon se ndoshta është dita e festës, ose koha e lirë, ose një takim i veçantë... Por mbasi këto kalojnë, nuk mbetesh i kënaqur, të paktën jo plotësisht. Dhe rifillon monotonia e një ekzistence që nuk jetohet me bindje dhe që është gjithnjë në pritje.
E vërteta është se ndër elementët që e përbëjnë edhe jetën tënde është njëri prej të cilit nuk mund të ikësh; është takimi ballë për ballë me Zotin që vjen. Kjo është “e bukura” drejt së cilës je i prirur në mënyrë të pavetëdijshme, sepse Zoti të ka krijuar për të qenë i lumtur, dhe lumturinë e plotë mund të ta japë veç Ai. Dhe Jezusi, duke e ditur se sa të verbër jemi unë dhe ti në kërkimin e lumturisë, na këshillon kështu:
"Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj“.
Rrini zgjuar. Kini kujdes. Hapni sytë. Sepse për shumë gjëra nuk je i sigurt në këtë botë, por për njërën është e sigurt që nuk mund të dyshosh: që një ditë duhet të vdesësh. Dhe për të krishterin kjo do të thotë të paraqitesh para Krishtit që vjen.
Ndoshta edhe ti je sikurse shumica që e harrojnë vdekjen me dashje, me qëllim. Ai çast të frikëson dhe ti jeton sikur të mos ekzistonte. Me jetën tënde tokësore, me rrënjosjen gjithnjë e më shumë në të ti thua: vdekja më tremb, si rrjedhim ajo nuk ekziston. Përkundrazi, ai çast do të vijë. Sepse Krishti vjen me siguri.
“ Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj “.
Me këto fjalë Jezusi flet për ardhjen e tij në ditën e fundit. Sikurse u ngjit në qiell në praninë e apostujve ashtu do të kthehet. Por këto fjalë duan të thonë edhe ardhjen e Zotit në fund të jetës së çdo njeriu. Veç kësaj, kur njeriu vdes bota ka marrë fund për të.
Dhe meqë ti nuk e di nëse Krishti vjen sot, sot në mbrëmje, nesër, ose pas një viti a më shumë, duhet të rrish zgjuar. Pikërisht porsi ata që rrinë zgjuar, sepse e dinë se vjedhësit do të vijnë për të grabitur shtëpinë e tyre, por nuk e dinë orën.
Dhe, nëse Jezusi vjen, do të thotë se kjo jetë është kalimtare. Dhe nëse është e tillë, në vend që ta përçmosh duhet t’i japësh asaj rëndësinë më të madhe. Duhet të përgatitesh për atë takim me një jetë të denjë.
" Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj“.
Sigurisht duhet që edhe ti të rrish zgjuar. Jeta jote nuk është vetëm një rrokullisje e qetë veprimesh. Është gjithashtu një luftë. Dhe tundimet më të ndryshme, si ato seksuale, të kotësisë, të dhënies mbas parasë, të dhunës, janë armiqtë e tu të parë.
Nëse rri gjithmonë zgjuar nuk do të kapesh në befasi. Por rri zgjuar siç duhet ai që ka dashuri. Pikërisht dashuria të bën të jesh vigjilent. Kur do dikë, zemra rri zgjuar gjithmonë duke e pritur të dashurin, dhe çdo minut që kalon larg tij është në funksion të tij.
Kështu bën një bashkëshorte e dashur kur punon, ose kur përgatit gjithçka i nevojitet burrit të saj që është larg: çdo gjë e bën gati për ardhjen e tij. Dhe kur ai mbërrin, në përshëndetjen e saj të hareshme është gjithë puna e gëzueshme e ditës.
Kështu bën një nënë, kur pushon pak gjatë përkujdesjes për djalin e saj të sëmurë. Ajo fle, por zemra e saj rri zgjuar.
Kështu vepron ai që ka dashuri për Jezusin. Bën gjithçka për Të, të Cilin e takon në çdo çast në shfaqjet e thjeshta të vullnetit të Tij, dhe do ta takojë solemnisht në ditën e ardhjes së Tij.
Është 3 nëntor 1974. Në jug të Brazilit përfundon në Santa Maria një takim shpirtëror me 250 të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve vjen prej Pelotas.
Furgoni i parë me dyzet e pesë vetë niset: gjithë këngë, plot gëzim, plot dashuri për Jezusin. Në një farë pike të udhëtimit disa vajza lusin së bashku rruzaren me misteret e mundimeve dhe i kërkojnë Zojës Mari besnikërinë ndaj Zotit deri në vdekje.
Në një kthesë, për shkak të një difekti, furgoni ra në një humnerë prej pesëdhjetë metrash, duke u përmbysur tre herë. Vdiqën gjashtë vajza. Një e mbijetuar tha: “E pashë vdekjen afër, por nuk pata frikë, sepse Zoti ishte atje”.
Ndërsa një tjetër tha: “Kur e kuptova se mund të lëvizja, në mes të hekurishteve, shikova qiellin me yje dhe duke u gjunjëzuar në midis të trupave të shoqeve të mia, u luta. Hyji ishte atje pranë nesh...”. Babai i Carmen Regina, njëra prej viktimave, tregoi se shpesh e bija i përsëriste: “Është bukur të vdesësh baba, sepse shkohet për të qëndruar së bashku me Jezusin”.
" Prandaj rrini zgjuar, Sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj “.
Të rejat e Pelotas rrinin zgjuar, sepse kishin dashuri, dhe kur erdhi Zoti i dolën përpara me gëzim. “Fjala për ta Jetuar”, botim mujor i Lëvizjes së Fokolarëve. Shkrim iKjara Lubik, dhjetor 1978. GrafikaAnna Lollonë bashkim me donPlacido D’Omina (Siçili - Itali)