E N D
EBU BEKRI- Pjesa e parë Çdo profet që ka dërguar Zoti i Madhërishëm tek njerëzit, e pajiste me mrekulli me të cilat u tregonte atyre që ky njeri është i dërguari i Zotit. Kështu, Isai [alejhis-selam] kishte si mrekulli ngjalljen e të vdekurve, shërimin e të sëmurëve dhe u kthente shikimin të verbërve… Musait [alejhis-selam] i kishte dhënë mrekulli shkopin, i cili kthehej në gjarpër, me të cilin çante detin etj… Çdo të dërguari Zoti i Madhërishëm i kishte dhënë mrekulli me të cilat vërtetonte para njerëzve se ky ishte i dërguar prej Tij. Që kur ishim të vegjël, ne dëgjonim se mrekullia e profetit Muhammed [sal-lall-llahu aleji ve sel-lem] është Kur’ani Famëlartë. Që të jemi të sinqertë, ne e dëgjonim se Kur’ani ishte mrekulli në vetvete, por sesi nuk e kuptonim. Disa thoshin se mrekullia e Kur’anit qëndron në elokuencën dhe stilin e të shkruarit të tij. Megjithatë, shumë njerëz nuk e kuptojnë diçka të tillë, pasi ata që merren me gjuhësi janë të pakët. Shumica e njerëzve nuk e ndiejnë këtë mrekulli. Me qëllim që ta sqarojmë se ku qëndron mrekullia e Kur’anit, mund të themi se ky libër i kthen ata që e besojnë dhe veprojnë sipas porosive të tij, në njerëzit më madhështorë dhe më të suksesshëm mbi tokë. Njerëzit më të pavlerë dhe që nuk i përmend askush, me të besuar dhe vepruar sipas porosive të këtij Libri, kthehen në udhëheqës dhe përcaktues të rrjedhës së historisë botërore.
Profeti i fundit [sal-lall-llahu aleji ve sel-lem] duhej të pajisej me një mrekulli, e cila do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit. Mrekullia e Profetit të fundit nuk duhej të ishte e kufizuar vetëm për kohën që ai jetoi. Mrekullia e Profetit të fundit qëndron në ata burra dhe gra që përqafojnë fenë e tij. Qëndron tek secili prej nesh që zbaton porositë e Kur’anit. Mrekullia e këtij libri qëndron në atë që njerëz tepër të thjeshtë, si, për shembull, Sad ibn Ebi Vekkasi, i ndryshoi dhe i bëri udhëheqës dhe liderë që i përmend historia. Nga një beduin i thjeshtë, ai bëri emër në histori dhe arriti të nënshtrojë perandorinë Perse në betejën e Kadisijes. Po kështu, një beduin tjetër, i zymtë, i ashpër, i dhunshëm dhe që kishte groposur të gjallë vajzën e tij, ishte edhe Umer ibnul Hattabi. Nga një njeri i tillë, ai kthehet në një nga udhëheqësit më të suksesshëm që njeh historia. Ky njeri kaq i thjeshtë dhe që të gjithë e kishin frikë kur takoheshin me të, kthehet në një udhëheqës të suksesshëm, që kishte nën kontrollin e tij të gjithë Gadishullin Arabik, Egjiptin, Shamin dhe Irakun. Ky libër (Kur’ani), një tregtar të thjeshtë, që nuk i interesonte gjë tjetër veç tregtisë, e ktheu në një nga personalitetet më të shquar në histori. Ai është simboli i sakrificës, zemërgjerësisë dhe burrërisë. Ky personalitet është Ebu Bekri, njëri nga shokët më të ngushtë të profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kështu, mrekullia e Kur’anit Famëlartë qëndron në atë që, duke zbatuar porositë dhe këshillat e tij, të kthen nga njerëzit më të suksesshëm dhe më me famë.
EBU BEKRI [radijall-llahu anhu] Të flasësh mbi jetën e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu] dhe mbi madhështinë e tij, është gjë e vështirë. Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] është enciklopedi më vete për moralin, besimin, adhurimin, sakrificën… Ebu Bekri është nga ata personalitete që nuk ka nevojë ta zbukurosh jetëshkrimin e tij. Biografia e tij është aq tërheqëse dhe e bukur, saqë nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Në faqet që do të flasim mbi Ebu Bekrin, do të përpiqemi të zbulojmë anën e tij të brendshme. Emri i tij Emri i Ebu Bekrit është Abdull-llah ibn Ebu Kuhafe. Profeti [sal-lall-llahu aleji ve sel-lem] i kishte vënë nofkën “El’atik”, që do të thotë i shpëtuari nga zjarri i xhehenemit që në këtë botë. Një herë, teksa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] qëndronte me shokët e tij, shikon Ebu Bekrin nga larg dhe u thotë të pranishmëve: ”Kush dëshiron të shohë dikë që Zoti e ka shpëtuar nga zjarri i xhehenemit, le të shohë Ebu Bekrin!” Në një transmetim tjetër, thuhet se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu drejtua Ebu Bekrit me fjalët: ”O Ebu Bekr, ti je i shpëtuari i Zotit nga zjarri!” Disa dijetarë mendojnë se nofkën “El’atik” Ebu Bekri e kishte marrë që para Islamit. Disa prejt tyre mendojnë se e kishte marrë këtë nofkë, për shkak të hijeshisë që e karakterizonte. E veçantë për t’u përmendur këtu është se shumë nga shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kanë qenë të bukur dhe të pashëm. Sot është krijuar një ide e gabuar tek shumë njerëz, saqë kur u flet mbi të rinjtë muslimanë dhe fetarë, menjëherë u shkojnë në mendje fytyra të zymta dhe të ashpra.
Disa të tjerë pohojnë se ishte quajtur kështu për shkak të moraleve të larta. Një nofkë tjetër me të cilën njihet, është edhe ‘’Es-siddik’’ (I besueshmi). Emri i babait të Ebu Bekrit është Uthman. Por ai njihet me emrin Ebu Kuhafe. Nëna e tij quhej Selma bintu Sakhr, kurse ndryshe njihej me emrin “Ummul Hajr” (Nëna e të mirave). Nëna e Ebu Bekrit e pranoi Islamin që në ditët e para të tij, në shtëpinë e Erkam ibnul Erkamit. Kurse babai i tij, e pranoi Islamin shumë vonë. Ai e pranoi atë vetëm pak para se të vdesë, kur kishte humbur edhe shikimin. Edhe pse ishte babai i Ebu Bekrit, njeriut më të dashur dhe që qëndronte më pranë Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ai kishte refuzuar të përqafojë Islamin. Babai i Ebu Bekrit vdiq gjashtë muaj pas vdekjes së Ebu Bekrit, në moshën nëntëdhjetë e shtatë vjeçare. Ebu Bekri rrjedh nga fisi Benu Tejjim, që janë bark i fisit Kurejsh. Ebu Bekri takohet me profetin Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në gjyshin e gjashtë, Murre ibn Kabin. Fisi i Ebu Bekrit dhe vetë ai ishin përgjegjës për shpagimin e gjaqeve të atyre që vriteshin padrejtësisht. Ebu Bekri lindi dy vite pas ndodhisë së elefantit të Ebrehas. Kështu, ai është dy vite më i vogël sesa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kur pranoi Islamin dhe filloi të interesohej për të, Ebu Bekri ishte 38 vjeç. Kurse kur emigroi nga Meka për në Medine së bashku me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ai ishte 51 vjeç. Kur u bë Halifeja i muslimanëve, Ebu Bekri ishte 61 vjeç dhe e mbajti këtë post për dy vite dhe disa muaj. Mosha në të cilën Ebu Bekri ndërroi jetë, është e njëjta moshë në të cilën ndërroi jetë vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ajo gjashtëdhjetë e tre vjeçare. Madje, Ebu Bekri vdiq në të njëjtën ditë në të cilën vdiq Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ditën e hënë. Përderisa kishte jetuar dhe ndjekur rrugën e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], Zoti e bëri që edhe vdekja t’i vijë si ajo e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Martesat dhe fëmijët e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu] Ebu Bekri ishte i martuar me dy gra, para se të bëhej musliman. Po ashtu, ai ka dy gra, pasi pranon Islamin. Njëra nga gratë e periudhës së injorancës, quhej Kutejle bintu Abdul Uzza. Ne nuk disponojmë informacion të plotë rreth kësaj gruaja, nëse ka vdekur si muslimane apo jo dhe nëse Ebu Bekri e ka divorcuar apo jo. E rëndësishme është se Ebu Bekrit i lindi me këtë grua Abdull-llah ibn Ebu Bekri, i cili pranon Islamin që në ditët e para dhe lufton përkrah Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe babait të tij. Abdull-llahu vdiq gjatë sundimit të Ebu Bekrit dhe ishte vetë babai i tij ai që i fali xhenazen. Fëmija i dytë i Ebu Bekrit me Kutejlen është Esmaja. Gruaja e dytë e Ebu Bekrit, është Ummu Ruman. Ajo pranoi Islamin në ditët e para dhe i lindi Ebu Bekrit dy fëmijë: Abdurrahmanin dhe Aishen. Abdurrahmani e pranoi Islamin shumë vonë dhe luftoi kundër muslimanëve dhe vetë babait të tij në Bedr dhe në Uhud. Ai e pranoi Islamin në marrëveshjen e Hudejbijes dhe mori pjesë në shumë beteja përkrah Halid ibnul Velidit. Gruaja e tij e tretë, me të cilën u martua pasi pranoi Islamin, është Esma bintu Umejs. Me këtë grua, Ebu Bekrit i lindi një djalë, të cilin e quajti Muhammed. Esma bintu Umejs më parë kishte qenë gruaja e Xhafer ibnu Ebi Talibit, por pas vdekjes së tij, martohet me Ebu Bekrin. E habitshme është se para se të vdesë, Ebu Bekri i kërkoi asaj që ta lajë pasi të vdesë. Kështu, ajo ishte gruaja e parë që lante burrin e saj.
Gruaja e katërt e Ebu Bekrit është Habibe bintu Zejd el Hazrexhije, nga fisi Hazrexh. Kur vdiq Ebu Bekri, ajo ishte shtatzanë dhe më pas lindi një vajzë, të cilën e quajti Ummu Kulthum. Kështu, shohim që Ebu Bekrit i lindën tre djem dhe tre vajza. Pamja dhe tiparet e tij Ebu Bekri ishte shumë i dobët fizikisht. Këmbët i kishte të holla dhe pa mish. Sytë i kishte si dy zgavra të thella. Kishte shumë pak mish në fytyrë. Nuk ishte as i gjatë dhe as i shkurtër. Dukej pak si i përkulur. Lëkurën e kishte të bardhë dhe mjekrën e lyente me këna. Ballin e kishte të gjerë dhe binte në sy. Hundën e kishte të ngritur dhe në fund si të rrumbullakët, hundë e natyrës arabe. Ajo që e dallonte më shumë, ishte dobësia fizike. Veçoritë e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], para Islamit Njëra nga veçoritë e tij më dalluese, është se kurrë nuk ka adhuruar dhe nuk u është përulur (sexhde) idhujve. Babai i tij, Ebu Kuhafe, e mori një ditë dhe duke i treguar idhujt i tha: ”Këta janë zotat e tu. Madhëroji dhe bjeru në sexhde!” Më pas, babai e la vetëm me zotat dhe u largua. Ebu Bekri filloi t’i shohë me habi dhe u thoshte: ”Më ushqeni! Më jepni të pi! Më vishni!’’, por asnjëri nga idhujt nuk përgjigjej. Atëherë, ai mori një gur dhe goditi njërin nga idhujt. Nga goditja, idhulli u rrëzua dhe u thye. Që nga ajo ditë, Ebu Bekri nuk besonte në idhuj dhe nuk i adhuronte ata.
Një herë tjetër, disa shokë i thanë: ”O Ebu Bekr, a nuk i përulesh Latit dhe Uzasë (idhuj)?” Ebu Bekri i pyeti: ”Po kush janë Lati dhe Uzaja?!” Ata i thanë: ”Janë vajzat e Zotit!” Ebu Bekri i pyeti përsëri: ”Po kë kanë nënë?!” Shokët heshtën dhe nuk folën. Një karakteristikë tjetër e veçantë, është se ai kurrë nuk ka pirë pije alkoolike. Ai ishte tridhjetë e tetë vjeç kur pranoi Islamin dhe deri atëherë nuk kishte konsumuar kurrë alkool. Kur dikush e pyeti përse nuk pinte alkool, ai i tha: ”Dua të ruaj dinjitetin dhe nderin tim të pastër.” Tregohet se shkak për këtë ishte se kur ishte i ri, shikon një të dehur që merrte pisllëqe dhe i fuste në gojë. Që atë ditë betohet se kurrë nuk do e ulë veten duke pirë alkool. Një cilësi tjetër e tij, para se të pranojë Islamin, është se ishte shumë i dashur me të gjithë njerëzit. Ai ishte shumë i respektuar dhe shumë serioz. Para se të pranojë Islamin, ai njihej si njohësi më i mirë i gjenealogjisë mes Kurejshëve. Me njohuritë e tij në këtë fushë, do e ndihmojë shumë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më vonë. Duke vajtur tek fiset arabe për t’u kërkuar ndihmë dhe përkrahje, Ebu Bekri i tregonte mbi cilësitë dhe veçoritë e çdo fisi. Një herë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe Ebu Bekri do shkonin tek një fis arab. Para se të arrijnë tek ky fis, Ebu Bekri i thotë Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se në këtë fis është një poet i madh, të cilin e quajnë Kab. Me këtë, sikur i kërkonte që ta trajtojë më mirë këtë person, për peshën që kishte. Kur u takuan me parinë e fisit, Ebu Bekri filloi ta prezantojë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me të gjithë. Kur erdhi radha e Kabit, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], me të dëgjuar emrin e tij, e pyeti si me admirim: ”Poeti?!”
Tregon vetë Kabi: ”E desha nga çasti që tha “Poeti?!” Një cilësi tjetër e Ebu Bekrit para Islamit, është se, duke qenë tregtar, ai lëvizte në të gjithë Gadishullin Arabik dhe i njihte mirë njerëzit. Nga tregtia, ai ishte bërë një nga më të pasurit në Meke. Ditën që pranoi Islamin, ai kishte një pasuri që llogaritej në dyzet mijë derhemë. Kurse ditën që emigroi nga Meka për në Medine, pasuria e tij kishte mbetur vetëm pesë mijë derhemë. Më e veçanta është se ditën që u bë Halifeja i muslimanëve, pasuria e tij ishte zero. Ndërsa ditën që vdiq, la pas vetëm gjashtë derhemë. Cilësia e fundit para Islamit, është se Ebu Bekri ishte një nga shokët më të ngushtë të profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Që para Islamit, mes tyre ekzistonte një dashuri dhe miqësi e ngushtë. Madje, thuhet se Ebu Bekri e shoqëroi Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në udhëtimin e tij me Ebu Talibin në Sham. Disa hadithe të profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] mbi Ebu Bekrin Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Njeriu me besim më të sinqertë është Ebu Bekri.” Në një hadith tjetër, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Njeriu me besim më të qëndrueshëm, është Ebu Bekri.” “Sikur të vendosej besimi i Ebu Bekrit në një anë të peshores dhe besimi i gjithë umetit në anën tjetër, besimi i Ebu Bekrit do të rëndonte më shumë.” “Ebu Bekri nuk dallohet prej jush me namaz dhe agjërim të shumtë, por me diçka në zemrën e tij.”
Çfarë mund të jetë ajo gjë me të cilën dallohet Ebu Bekri dhe përse nuk e tregoi Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]? Vallë, cili është çelësi i personalitetit të Ebu Bekrit? Secili prej nesh, ka një çelës të personalitetit. Nëse arrin ta marrësh këtë çelës, do të arrish ta analizosh personalitetin e kujtdo prej nesh. Çelësi i personalitetit është njëlloj si çelësi i shtëpisë. Shtëpia është e mbrojtur me sistemet e alarmit më të mira, por në atë çast që ti siguron çelësin e saj, arrin të shohësh dhe të kontrollosh gjithçka brenda saj. Secili prej nesh ka sjelljet dhe veprat e tij, të cilat mund t’i dimë dhe mund të mos i dimë. Nëse arrin të sigurosh çelësin e personalitetit, arrin ta njohësh tjetrin nga brenda. Atëherë le ta përsërisim përsëri pyetjen tonë: Cili është çelësi që na mundëson të njohim personalitetin e Ebu Bekrit? Cili është ai çelës me të cilin do të kuptonim mënyrën e sjelljes dhe të sakrificave të shumta të Ebu Bekrit? Po të shohim Umer ibnul Hattabin, do të gjenim se çelësi i personalitetit të tij ishte fuqia. Që në ditët e para të Islamit të tij, shfaqet qartë forca e tij. Ai nuk e pranonte përuljen dhe nënshtrimin. Të gjitha cilësitë dhe veçoritë e tjera, rridhnin nga kjo cilësi.
Kurse cilësia kryesore dhe çelësi për zbulimin e personalitetit të Ebu Bekrit, ishte dashuria e pamasë që kishte për të drejtën. Nëse e gjente të drejtën, ai pranonte të sakrifikojë jetën dhe gjithçka për të. Që ditën kur gjeti të vërtetën në mesazhin e profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ai sakrifikoi gjithçka për triumfin e saj. Ditën që vdiq Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të gjithë njerëzit u tronditën dhe u lëkundën, përveç Ebu Bekrit. Ai kishte vizion të qartë për të ardhmen, pasi besonte në të drejtën dhe të vërtetën. Ai e dashuronte të vërtetën dhe ishte i dhënë plotësisht pas saj. Ai pranonte të japë jetën, në këmbim të triumfit të së vërtetës. Ishte e vërteta ajo që komandonte dhe kontrollonte sjelljet e Ebu Bekrit. Nëse profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është simboli i së vërtetës, Ebu Bekri është ai që e vazhdoi rrugën e tij. Me vdekjen e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ishte Ebu Bekri ai që e konsolidoi Islamin mes fiseve rebele arabe.
Islami i Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu] Të gjithë dijetarët muslimanë pohojnë se njeriu i parë që pranoi Islamin ishte gruaja e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], Hadixheja. Fëmija i parë që pranoi Islamin ishte Ali ibnu Ebi Talibi. Skllavi i parë që pranoi Islamin ishte Bilali. Kurse burri i parë që pranoi Islamin dhe adhuroi Zotin, ishte Ebu Bekri. Personi i parë që vizitoi Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], pasi iu shpallën fjalët e para nga Kur’ani, ishte Ebu Bekri. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i foli mbi fenë me të cilën ishte obliguar të përçojë. Me t’i bërë ftesë për të pranuar këtë fe, Ebu Bekri tha: ”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç All-llahut dhe se ti je i dërguari i Tij.” Është një qëndrim i habitshëm nga ana e Ebu Bekrit, pasi vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Kujtdo që i kam ofruar të pranojë Islamin, është menduar fillimisht dhe ka hezituar, përveç Ebu Bekrit. Me t’i folur mbi Islamin, ai as nuk u mendua dhe as nuk hezitoi, por thirri menjëherë: ”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç All-llahut dhe se ti je i dërguari i Tij.” Diçka e tillë nuk ishte papjekuri, as pamaturi dhe as nxitim. Diçka e tillë buronte nga vetë shpirti dhe natyra e tij, që ishte gjithmonë në kërkim të së vërtetës. Islami ishte një realitet që përputhej plotësisht me natyrën dhe moralin e tij. Ajo që e dallon Ebu Bekrin nga muslimanët e tjerë, është se nga dita që gjeti të vërtetën, jetoi për të dhe sakrifikoi për të pasurinë, familjen, veten dhe gjithçka që posedonte.
Kurse sot na duhen dhjetëra vite, derisa të bindemi mbi vërtetësinë e fesë. Na duhen vite të tëra, derisa të veshim hixhabin (për gratë). Na duhen dhjetëra vite, derisa të na mbushet mendja të shkojmë në xhami dhe të falemi. Na duhen vite të tëra, për të mësuar të lexojmë Kur’an... Nëse e gjen të vërtetën, jeto për të! Mësoje diçka të tillë nga Ebu Bekri. Nëse shikon që të vërtetën e ke para syve të qartë, mos hezito, por bëhu pjesë e saj. Gjatë javës së parë të Islamit të tij, pranuan Islamin gjashtë vetë të tjerë. Këta ishin: Sad ibnu Ebi Vekkasi, Zubejr ibnul Avami, Talha ibnu Ubejdull-llahu, Ebu Ubejde ibnul Xherrahu, Abdurrahman ibnu Aufi, Uthman ibnu Affani dhe të gjithë janë përgëzuar me xhennet nga Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ebu Bekri solli gjashtë veta të tjerë, që në javën e parë të Islamit të tij. Kjo, edhe pse njohuritë e tij mbi fenë ishin shumë të pakta. Secili prej nesh sot, ka më shumë njohuri mbi fenë se ç’kishte Ebu Bekri në javën e parë të Islamit. Kurse neve na kalojnë vite pa arritur të tërheqim njeri në fenë e Zotit. Ajo që e dallonte Ebu Bekrin, ishte dashuria dhe pasioni që kishte për të vërtetën. Pasi gjeti të vërtetën, atij nuk i interesonte gjë tjetër në këtë botë, veçse që kjo e vërtetë të triumfojë.
Si është e mundur që Ebu Bekri solli gjashtë vetë që në javën e parë të Islamit, edhe pse njohuritë e tij mbi Islamin ishin shumë të kufizuara?! Ai nuk dinte veçse që ka një Zot të vetëm, që ka xhennet dhe zjarr, që ka Ditë Kijameti dhe secili do të japë llogari për veprat e tij në këtë botë. Këto ishin njohuritë e Ebu Bekrit dhe vetëm me këto, bindi gjashtë njerëz të pranojnë Islamin. Edhe ne sot i dimë këto, madje dimë dhe shumë gjëra të tjera të bukura, megjithatë nuk mundemi të sjellim njerëz të tjerë në xhamitë tona. Problemi qëndron në atë se ne i dimë këto gjëra, por nuk i ndiejmë. Kurse Ebu Bekri i ndiente me zemër dhe ua përçoi edhe të tjerëve. Të gjitha veprat e mira të këtyre të gjashtëve, do të jenë edhe në peshoren e Ebu Bekrit Ditën e Kijametit. Madje, të gjithë ata që e pranuan Islamin nga këta të gjashtë, veprat e tyre do të jenë Ditën e Kijametit në peshoren e Ebu Bekrit. Sad ibnu Ebi Vekkasi nënshtroi Shamin dhe të gjithë veprat e muslimanëve në Sham, i shkojnë edhe Ebu Bekrit. Pasi pranuan Islamin këta të gjashtë, Ebu Bekri vazhdoi t’u flasë edhe të tjerëve mbi fenë e re. Kështu, ai u bë shkak që Islamin ta pranojë edhe Erkam ibnul Erkami, Uthman ibnu Madh’un dhe shumë të tjerë. Ebu Bekri nuk mjaftohej vetëm me përhapjen e fesë së re, por ai filloi të japë kontributin e tij edhe në lirimin e skllevërve. Të gjithë skllevërit që keqtrajtoheshin nga padronët e tyre, i blinte Ebu Bekri dhe u falte lirinë. Një herë, kur pa Umeje ibnu Halefin duke keqtrajtuar Bilal ibnu Rebahin, i tha: ”Përse nuk e mëshiron këtë të varfër?!” Umeje ia ktheu: ”Mëshiroje ti!” Ebu Bekri ia ktheu: ”Sa dëshiron si çmim për të?” Umeje i tha: ”Ta shes për pesë okë flori.” Kjo, edhe pse një skllav si Bilali kushtonte vetëm gjysmë ose një okë flori. Ebu Bekri i tha: ”E pranoj.” Umeje filloi të qeshë dhe i tha: ”O Ebu Bekr, po të më kishe kërkuar vetëm një çerek oke, do ta kisha shitur.” Kurse Ebu Bekri iu përgjigj: ”Për Zotin, po të më kishe kërkuar njëqind okë flori, do të kisha pranuar ta blija.”
Duke parë këtë që po bënte Ebu Bekri, babai i tij vajti dhe i tha: ”O Ebu Bekr, pash Zotin, mos e bëj këtë! Përse nuk u fal lirinë skllevërve të fuqishëm që t’i kesh ndihmë më pas, por atyre të dobët?!” Ebu Bekri ia ktheu: ”O baba, për Zotin, nuk ua fal lirinë që të më ndihmojnë më vonë, por për hatër të Zotit.” Kur ai i dha lirinë Bilalit, Kurejshët përhapën fjalë se e bëri këtë, pasi Bilali i kishte bërë një të mirë më parë dhe me këtë deshi t’ia shpërblejë. Atëherë Zoti shpall ajetet: “Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkrepëtin! Pasha Atë që krijoi mashkullin e femrën! Vërtet, veprimi juaj është i llojllojtë. E, sa i përket atij që jep dhe ruhet, dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën. E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur(nga Zoti), dhe që përgënjeshtron atë më të mirën, Ne do ta përgatisim për më të vështirën. E pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të zhduket. Detyrë e jona është vetëm të udhëzojmë. Dhe vetëm Jona është bota tjetër si dhe kjo. Unë u kam tërhequr vërejtjen për zjarrin të ndezur fort. Që aty nuk hyn tjetër, pos atij që është më i prishuri. I cili përgënjeshtroi dhe u zbraps. Ndërsa ai që është më i devotshëm do të jetë larg tij. Ai që e jep pasurinë e vet e pastrohet, e jo për ta shpërblyer ndokë që i ka bërë mirë më parë, por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të lartit. Për Zotin, ai do ta gëzojë atë kënaqësi!’’ (El-Lejl: 1-21)
A ka nder më të madh për një njeri, sesa punët e tij të mira t’i përmendë Zoti në Kur’an dhe ta mbrojë vetë Ai?! Nga dyzet mijë derhemë që posedonte ditën që pranoi Islamin, atij i mbetën vetëm pesë mijë të tilla ditën që emigroi për në Medine. Ajetet e lartpërmendura, lavdërojnë dhe vlerësojnë veprat e Ebu Bekrit, të cilat ishin në katër-pesë vitet e parë të Islamit të tij. Ai e pranoi të vërtetën, e ndjeu me shpirt dhe sakrifikoi gjithçka për të. Ai vuri gjithçka posedonte në shërbim të kësaj të vërtete, edhe pse i dobët fizikisht. Pasi Ali ibnu Ebi Talibi u bë Halifeja i muslimanëve, dikush e pyeti në një kuvend: ”A nuk je ti më trimi mes muslimanëve, o Prijësi i besimtarëve?!” Aliu ia ktheu: ”Jo, më trimi ka qenë Ebu Bekri. Për Zotin, kam parë që Kurejshët e kishin rrethuar Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe dikush e tërhiqte nga rrobat, në një kohë që dikush tjetër e shtynte. Të gjithë ne e vështronim nga larg, pa mundur të ndërhyjmë. Me të ardhur Ebu Bekri, i shtyu Kurejshët, hyri mes tyre, duke dashur të mbrojë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe u thoshte: ”A dëshironi të vrisni një njeri vetëm se thotë: ”Zoti im është All-llahu?!” Atëherë Kurejshët e lanë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe filluan të merren me Ebu Bekrin. Ukbe ibnu Meit e shtyu fort dhe Ebu Bekri u rrëzua mbi shpinë. Ukbe hoqi nallanat e tij dhe filloi ta godasë Ebu Bekrin në fytyrë. Ai vazhdoi ta godasë në fytyrë, derisa ajo iu ënjt, saqë nuk i dallohej hunda nga sytë dhe goja. Gjaku filloi t’i rrjedhë, madje humbi edhe ndjenjat. Të afërmit e tij, e morën dhe e dërguan në shtëpi, duke qenë të sigurtë se nuk do të jetojë gjatë.
Më pas, u kthyen tek Ukbe ibnu Meit dhe i thanë: ”Për Zotin, do të hakmerremi nëse vdes.” Kur u kthyen në shtëpi, i thanë nënës së Ebu Bekrit: ”Nëse jeton, ushqeje dhe jepi të pijë, edhe pse dyshojmë nëse do të jetojë.” Me të ardhur në vete, Ebu Bekri pyeti: ”Çfarë i ndodhi të Dërguarit të Zotit?” Nëna e tij – akoma nuk e kishte pranuar Islamin – ia ktheu e nervozuar: ”A akoma e kujton atë?!” Ebu Bekri iu përgjigj: ”Për Zotin, nuk do të fus gjë në gojë, derisa të sigurohem se ai është mirë. Shko tek Fatimeja, Ummu Xhemil (motra e Umer ibnul Hattabit), dhe pyete mbi të Dërguarin e Zotit!” Shkoi nëna e tij tek Fatimeja dhe e pyeti mbi Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Fatimeja ishte muslimane, por diçka të tillë e mbante të fshehtë. Duke pasur frikë se mos e zbulojnë të pranishmit, i tha: ”Për Zotin, nuk di gjë as çfarë i ndodh djalit tënd dhe as çfarë i ndodh Muhammedit. Por nëse më lejon, po vij të shoh si është djali yt.” Kështu shkoi pas nënës së Ebu Bekrit në shtëpinë e tyre. Me të hyrë në shtëpi, Ebu Bekri e pa dhe i tha: ”Çfarë i ka ndodhur të Dërguarit të Zotit?” Ajo iu përgjigj: ”Nuk di gjë!” - dhe i bëri me shenjë se nëna e tij ishte pranë. Ebu Bekri e qetësoi duke i thënë: ”Mos u mërzit se është nëna ime dhe nuk tregon.” Fatimeja i tha: ”Mos u mërzit se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është mirë.” Ebu Bekri i tha: ”Për Zotin, nuk fus gjë në gojë, derisa të sigurohem që është mirë.” Ngaqë nuk kishte mundësi të qëndrojë në këmbë nga dhimbjet dhe plagët, mbahej në supet e nënës dhe të Fatimes. Kur arritën tek shtëpia e Erkam ibnul Erkamit, hynë brenda dhe u takua me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Me ta parë, Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i erdhi keq dhe e përqafoi fort.
Ebu Bekri mendoi se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është i mërzitur nga ajo që kishte ndodhur dhe i tha: ”Për Zotin, o i Dërguari i Zotit, nuk kam gjë, përveç fytyrës.” Më pas i tha Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”O i Dërguari i Zotit, lute Zotin që ta udhëzojë nënën time!” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ngriti duart dhe tha: ”O Zot, udhëzoje nënën e Ebu Bekrit!” Në atë çast, nëna e tij që qëndronte në këmbë, thërret: ”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij.” E-dini